LAJMI I FUNDIT

Vëllezërit nga Kosova që furnizonin Evropën me kokainë, goditen nga EUROPOL-i

Prej disa vitesh vëllezërit Osmani që jetojnë në Gjermani kanë pasur probleme me drejtësinë për pasurinë, derisa bizneset i shtrijnë edhe në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera evropiane.

Paratë raportohet se i kanë investuar në ndërtim, shitblerje pronash, lojëra fati, ndërsa në mediat shqiptare janë prezantuar si biznesmenë të fuqishëm, të cilët nuk kanë ngurruar të financojnë edhe UÇK-në apo veprimtarinë e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.

Ndërkohë, në mediat evropiane, vëllezërit Osmani po etiketohen si një klan i rëndësishëm, që sillnin kokainë nga Amerika Latine, për ta shpërndarë nëpër Evropë.

Mediat belge raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga EUROPOL. Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës e drejtuar nga shqiptarët, emrat e të cilëve janë zbuluar sot.

Kush është Bashkim Osmani?

50-vjeçari, shqiptar nga Kosova, Bashkim Osmani prezantohet në mediat spanjolle si bosi mafioz. Anëtar i një klani me biznese të dyshimta në Gjermani – ku tashmë ishte dënuar me gati katër vjet burgim së bashku me vëllain e tij në vitin 2008 për një krim ekonomik.

Sipas mediave spanjolle, Osmani kalon periudha të gjata në Majorka, aty ku u arrestuan bashkëshortja dhe vjehrri i tij. Operacioni i EUROPOL i pagëzuar “Shqiponja e zezë” e kapi Bashkim Osmanin në Kroaci. Pas pak ditësh, ai do të ekstradohet në Spanjë.

Bastisja e shtëpisë, sekuestrimi i parave

Hetimi e vendos Osmanin në krye të një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Arrestimi i tij ishte një nga prioritetet kryesore të agjentëve. Sipas hetimeve, rrjeti i është përkushtuar futjes së sasive të mëdha të kokainës në Evropë nga Amerika e Jugut përmes porteve të ndryshme evropiane.

Droga shpërndahej në të gjithë kontinentin me aeroplanë privatë, automjete me fund të dyfishtë, pako postare dhe kontejnerë transporti.

Pasuritë e sekuestruara

Më shumë se 30 milionë euro të pastruara, investime në pasuri të paluajtshme në Majorka, 86 piktura vaji me vlerë pesë milionë euro, shtatë makina luksi, 16 orë luksoze, 203,000 euro në para të thata dhe 40,000 në riptovaluta.

Organizata e kishte grumbulluar këtë pasuri të madhe falë pastrimit të fitimeve të mëdha të marra nga importi i kokainës së sjellë nga Amerika e Jugut thotë media spanjolle.

Mediat italiane raportojnë se një nga figurat kryesore të organizatës që drejtohej nga vëllezërit Osmani është edhe Artur Shehu, vlonjati që ndërmjetëson me pronat në bregdetin shqiptar.

Emri i Artur Shehut është lakuar për lidhjet me Sekretarin e Përgjithshëm të qeverisë Rama, Ëngjëll Agaçin.

Ky operacion i përbashkët është rezultat i një hetimi ndërkombëtar kompleks që përfshiu Departamentin e Hetimeve Anti-Mafia (Dia) dhe Forcat Policore të Belgjikës, Spanjës, Gjermanisë, Holandës, Kroacisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, në bashkëpunim me Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë. dhe përfshiu mbi 600 oficerë policie, duke përfshirë Departamentet Speciale, të koordinuara nga Eurojust dhe EUROPOL.