Vëllai i viktimës në Ferizaj po vuan dënimin prej 15 vjetësh për vrasjen e vëllait të dorasit

Gjatë ditës së sotme, në Ferizaj ndodhi një vrasje në qendrën e qytetit. I vdekur në vendin e ngjarjes mbeti Mentor Aliu, 25 vjeçar, pasi që ndaj tij shtiu një 17 vjeçar me inicialet SH.R.

Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, dorasin dhe shoqëruesin e viktimës.

Sipas burimeve, 17 vjeçari e kreu vrasjen si shenjë hakmarrje për vëllaun e tij të vrarë, Samir Rexha, tri vite më parë në Gjilan, nga vëllau i viktimës së sotme.

LEXO EDHE: Ekskluzive: 17 vjeçari që la të vdekur M. Aliun në Ferizaj mori hak për vëllain e vrarë 3 vjet më parë

Ballkani.info ka kontaktuar me prokurorin e rastit të sotëm në Ferizaj, Shukri Jasharin, i cili ka deklaruar se nuk mund të konkludojnë motivet e vrasjes, por ka konfirmuar historinë mes dy palëve që kishte nisur tri vite më parë.

“Për momentin jemi në fazën e hetimeve dhe nuk mund të deklarojmë diçka të tillë. Është e vërtetë se vëllau i dorasit është vrarë nga vëllau i viktimës së sotme, tri vite më parë në Gjilan, vepër kjo për të cilën është dënuar me 15 vite burgim”, ka thënë Jashari.

Kujtojmë se vrasjet kanë qenë temë e ndjeshme edhe vitin e kaluar në Kosovë, ku si pasojë e përleshjeve me armë zjarri, kanë humbur jetën gjithsejt 35 persona. /Ballkani.info