Vëllai i vëllezërve Bytyqi: Jemi të nderuar me iniciativën e Daut Haradinajt për ngritjen e memorialit

21 vjet më parë, tre vëllezërit: Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi u torturuan, ekzekutuan e më pas u hodhën në një varr masiv në Serbi.

Ata iu kishin bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në prill të vitit ’99, sikurse shumë djem e vajza nga diaspora për të vetmin qëllimin, lirinë e Kosovës.

Dy dekada pas, është marrë iniciativë për ndërtimin e një memoriali që do të mbes në kujtesën e secilit sakrifica e tyre për atdheun.

“Ne kemi filluar procedurat për memorialin, vetëm po presim që sa më shpejt ta gjejë komuna e Prishtinës vendin adekuat, sepse kjo ka rëndësi të veçantë dhe është një moment i rëndësishëm”, ka deklaruar deputeti i AAK-së, Gazmend Syla për RTK-në.

Vëllai i vëllezërve Bytyçi, Iliri u shpreh shumë i nderuar duke komentuar iniciativën e deputetit te AAK-se, Daut Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij për ngritjen e një memoriali për vëllezërit Bytyçi në qendër të Prishtinës.

“Thënë të drejtën ne jemi shumë të nderuar. Dhe kjo nuk është nder vetëm për familjen time, por është nder edhe për shumë familje të tjera që kanë rënë heroikisht në Kosovë. Andaj dua të falënderoj deputetin Syla, i cili në emër të deputetit Haradinaj më ka njoftuar për iniciativën që të mos harrohen vëllezërit tanë”, tha Ilir Bytyçi për RTK-në.

Iliri tregon se në momentin kur do të përurohet memoriali në Prishtinë, ai dhe familja e tij do të jenë prezent në Kosovë.

Duke folur për krimet serbe në Kosovë, Bytyçi potencon se Serbia është ajo që ka bërë krime.

“Ne kërkojmë shumë nga kryeministri Hoti që ta sjell në tavolinën e diskutimit në Shtëpinë e Bardhë, rastin e vëllezërve Bytyçi. Ne e dijmë se atje do të jetë prezent edhe Presidenti Vuçiq, nuk është në pyetje vetëm fati i vëllezërve tanë, por i të gjitha viktimave. Por, mos të harrojmë se për dëmin që ka shkaktuar Serbia në Kosovë dhe në familjen time nuk duhet të mbes pa u dënuar”, ka thënë Bytyçi.

Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-s udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë. Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe, ku më pas u gjetën të vrarë. Sot e atë ditë askush nuk është gjykuar për këtë krim.