Vëllai i të vrarit Oliver Ivanoviq, Miroslav, thotë se deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratislava Gashiq, se dihet se kush e ka vrarë ish-liderin e Nismës Qytetare “Liri, Demokraci dhe Drejtësi” dhe se vrasësi është nën mbrojtjen e shërbimeve gjermane, është shumë interesante në shumë mënyra.

“Vetë faktet që janë të listuara, që kanë pamje nga aeroporti i Tiranës, Prishtinës, pastaj kur hyjnë në banesë (të vrasësit të dyshuar) nuk flasin në vetvete se pse është fotografuar ajo fytyrë në radhë të parë, pse ka qenë në interes për shërbimet, sepse padyshim ka të bëjë me kohën që i ka paraprirë aktit aktual të vrasjes. Është interesante se si përfundon historia me fotot e hyrjes në banesë në Prishtinë, e jo me atë pas saj. Është e qartë se vetë vrasja është dashur të ketë mbështetje serioze logjistike, në të cilën është dashur të marrë pjesë ai person si autor i supozuar”, vlerëson Miroslav Ivanoviq në N1.

Ai shton se është një histori që nuk është asgjë e re dhe e cila “u shfaq në vitin 2018 menjëherë pas vrasjes”.

“Historia përfundon me një mur para të cilit nuk mundesh – fytyra është nën mbrojtjen e shërbimeve gjermane. Do të doja që ambasadori gjerman të përgjigjet për të gjitha këto”, tha ai.

Ndërkohë, është deklaruar edhe ambasada gjermane. “Ne hedhim poshtë kategorikisht akuzën se autori është nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane. Qeveria federale nuk e ka pranuar kërkesën e autoriteteve serbe për këtë çështje”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane në Beograd.

I pyetur se kur ka pasur komunikimin e fundit me policinë serbe, Miroslav Ivanoviq ka thënë se nuk ka pasur kontakte.

“Përveç kontaktit me prokurorinë speciale në fazën e mbledhjes së informacioneve të nevojshme, nuk kam pasur kontakte të tjera. Kishte një kontakt me (ish-shefin e Zyrës për Kosovë) Marko Gjuriqin dhe në atë kohë më dukej si një përpjekje për t’u siguruar që gjithçka po bëhej në atë front, por nuk mora ndonjë informacion specifik”, thotë vëllai i Oliverit.

Ai gjithashtu kujton se menjëherë pas vrasjes në Telegrafin serb është publikuar një fotografi e trupit të Oliverit, duke shtuar se për këtë ka pyetur autoritetet serbe, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Në përgjigje të deklaratës së Gashiqit se askush nuk shoqërohej me Oliverin si Vuçiq dhe Gashiq, Miroslavi thotë se ai ishte i afërt me vëllain e tij dhe supozonse do ta dinte se ishte kështu.

“Nuk ka asgjë nga ajo shoqëri, nuk e di se ku ka lirinë dikush ta quajë veten mik të një njeriu që ka ardhur dhe ka kërkuar ndihmë dhe asnjë nuk i është ofruar nga po ata njerëz. Oliveri alarmoi të gjitha qendrat e pushtetit, duke folur për kërcënim. Kjo është jashtëzakonisht e papërshtatshme, sepse nuk është e vërtetë”, tha ai.

Ai shton se sa i përket të afërmve të gjakut të Oliverit në familjen e gjerë, “askush nuk ka marrë asnjëherë ndihmë nga ata persona apo nga ndonjë institucion shtetëror”.

Ai po ashtu ka kërkuar nga ministri Gashiq të përgjigjet se çfarë ka ndodhur me pamjet e kamerave të sigurisë që mbulojnë gjithë Mitrovicën.

“Ka një pamje që tregon Oliverin duke ecur drejt zyrës së tij dhe më pas ndalon. Ne inkurajojmë që në fillim të rishikohet dhe të bëhet publike”, tha Miroslav Ivanoviq.