Vëllai i Donjeta Pajazitajt: Jemi të bindur se ka pasur edhe persona të tjerë të përfshirë në vrasje

Vrasësi i Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitaj, sot është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Por, vëllai i të ndjerës Donjeta Pajazitaj, Shkëlqim Pajazitaj, tha se dyshojnë se Naser Pajazitaj nuk ka qenë i vetëm në kryerjen e kësaj vepre.

“Ne besojmë që Naseri në atë gjendje nuk ka mundur të jetë vet. Ne jemi të bindur, sepse të tregon gjendja e tij. Këtë e them me bindje të plotë, sepse Donjeta ka qenë 24 vjeçare dhe e fortë dhe ka mundur ta sfidojë Naserin në atë gjendje”.

Ai theksoi se pas vendimit drejtësia mori rrugën e drejtë.

“Ka qenë vendim shumë i mirë dhe e kemi pritur këtë vendim. Nuk kemi besuar që kjo do të ndodhë, por drejtësia mori rrugën e drejtë”,  tha ai në Klan Kosova.

Naser Pajazitaj akuzohet se më 09.11.2015, në bjeshkët e Strellcit Komuna e Deçanit, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë” , me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyre dinake dhe për motive të ulëta e ka vrarë Donjeta Pajazitajn.