Zvicër

Vëllai dëmton vëllain. Arlind Ajeti, dy muaj jashtë fushave

Njëri ka zgjedhur të përfaqësojë kombëtaren shqiptare, ndërsa tjetri përfaqësuesen e Zvicrës. Të dy janë lindur në Bazel, por kanë pozicione të ndryshme në fushë, por këtë radhë vëllezërit Ajeti e panë veten përballë njëri-tjetrit, për të demonstruar atë që dinë të bëjnë më mirë, të luajnë futboll.

Arlind dhe Albian Ajeti ishin në fushë në ndeshjen Gras’hopers-Basel, por fati rezervoi një të papritur të hidhur për futbollistin e kombëtares kuqezi. Arlind Ajeti nuk do të mund të luajë futboll për pjesën e mbetur të vitit 2018, pasi u dëmtua nga vëllai i tij, Albiani. Pas një përplasjeje midis tyre, mbrojtësi i Shqipërisë pati dhimbje dhe shtrëngoi shpatullën duke kërkuar ndihmën mjekësore.

Ai u rifut në lojë, por e pati të vështirë që të luante në përfundim të pjesës së parë, si pasojë e dhimbjeve të shumta. Kështu, stafi vendosi që ai të mos vazhdonte.

“Kjo është një situatë mjaft e sikletshme dhe më vjen shumë keq për vëllanë tim. Nuk është aspak e bukur që të nxjerrësh shpatullën. Unë uroj që të kthehet sa më shpejt. Nëse është e shkruar, ne do të takohemi përsëri 20 herë, dy herë apo asnjëherë. Por, kur të ndodhë, më mirë të evitojmë pak më shumë njëri-tjetrin”, tha Albiani.

Mjekët rekomanduan ndërhyrje kirurgjikale për Arlind Ajetin dhe nëse kjo ndodh, mbrojtësit kuqezi do t’i duhen dy muaj rikuperim dhe praktikisht do të kthehet në fushë vitin tjetër.