Sulmuesi i Kosovës

Vedat Muriqi dëshiron vetëm Fenerbahçen

Vedat Muriqi pritet të largohet nga Rizespori gjatë verës, por jo edhe nga kampionati turk. Futbollisti kosovar thotë se nuk do të transferohet në një klub tjetër në Turqi përpos Fenerbahçes.

Nëse largohet nga Rizespori, sulmuesi kosovar insiston se në Turqi nuk do të dëshironte të luajë në një klub tjetër përpos Fenerbahçes.

Kështu shkruan të mërkurën portali turk “Milliyet”.

Përfaqësuesi kosovar është takuar të martën me menaxherin e tij dhe ia ka bërë me dije atij vendimin e marrë.

“Në Turqi nuk dua të luaj në një klub tjetër përpos Fenerbahçes”, ka thënë sulmuesi i rrezikshëm prizrenas, i cili po shkëlqen në Superligën turke.

Muriqi i ka zhvilluar 32 ndeshje këtë sezon dhe ka realizuar 15 gola krahas 7 asistimeve.

Përpos Fenerbahçes, futbollistin e Kosovës e do edhe Toulouse në Francë.

Por, duket se 24 vjeçari është i vendosur për të vazhduar në futbollin turk.