“Veç mos dalsha kurrë, kena me pas probleme”, 23-vjeçari kërcënon policët në Vushtrri

Zyrtarët policorë nga stacioni policor në Vushtrri janë ballafaquar gjatë ditës së djeshme me një 23-vjeçar, i cili nuk u bindej urdhrave të policisë lidhur me parkimin e një veturë.

Përveç që nuk veproi siç urdhëroi Policia, i njëjti shkoi edhe më tej, duke i kërcënuar.

Burimet e sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje se si 23-vjeçari nga Vushtrria sillej si ‘kapadai’ edhe në vendin e ngjarjes, por edhe në stacion policor.

I riu, F.SH., u ndalua nga një njësi patrulluese, në rrugë Wesley Clark të Vushtrrisë, pasi i njëjti kishte parkuar veturën e tij në trotuar.

Sipas burimeve të Sinjalit, Policia fillimisht i ka dhënë dy vërejtje, që vetura të largohet nga ajo pjesë meqë është e ndaluar, por i riu nuk i është bindur urdhrave dhe zyrtari policor u detyrua t’ia shqiptojë tiketën për kundërvajtje. Kjo bëri që i dyshuar të eskalojë dhe t’i kërcënojë policët që ishin në vendin e ngjarjes.

Ai iu drejtua policit me fjalët kërcënuese “Unë me juve ka me pas problem edhe privatisht, kush k*** jeni ju me m’nal mu, na kena mu zatet apet live”.

Për shkak të kanosjes, njësia policore e arrestoi të dyshuarin dhe e dërgoi në stacion policor. Por kjo siç duket e ndaloi të riun, që të vazhdojë dhe t’i kërcënojë policët.

Brenda stacioni policor ai u ishte drejtuar zyrtarëve me fjalët “veç mos dalsha kurrë prej stacionit se keni me pa ju kush jam, pritni ju se nëse unë dal e i marr do sene të mia atëherë e shohim na mirë”.

Sinjali ka mësuar se i dyshuari është intervistuar nga Njësia e Hetimeve dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti si “kanosje”.