Vdes 25-vjeçarja në Vlorë pasi bie nga anija turistike

Një vajzë 25-vjeçare ka gjetur vdekjen në ujërat e brigjeve të Vlorës.

Mësohet se e reja po udhëtonte në një anije turistike që përdoret për shëtitje në det të hapur, teksa është rrëzuar dhe ka rënë në ujë, si pasojë e reja ka humbur jetën.

Mësohet se policia ka arrestuar A. G., 47 vjeç, banues në Vlorë i cili ishte i punësuar në anijen turistike dhe akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Njoftimi i policisë:

Vlorë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” të shtetasit A. G., 47 vjeç, banues në Vlorë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, mengjesin e sotëm, nga anija turistike ku ishte i punësuar, dyshohet se është rrëzuar një shtetase ende e paidentifikuar, rreth 25 vjeçe, e cila për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës. Vijon puna për identifikimin e saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshem.