Vazhdon shitja e biletave për finalen Feronikeli – Prishtina

Biletat për ndeshjen përcaktuese të kampionit të ri në Ipko Superligë mes Feronikeli dhe Prishtinës janë duke u shitur ende, disa orë para fillimit të ndeshjes.

Lideri i Superligës, Feronikeli do të jetë nikoqir i rivalit për titull, Prishtinës, në një duel të drejtpërdrejt dhe final, sot në stadiumin Rexhep Rexhepi në Drenas. Takimi i shumëpritur do të nisë në orën 16:00, shkruan Gazeta Express.

Nikli ka njoftuar se në faqen e vet zyrtare se ka mbetur vetëm edhe një sasi e kufizuar e biletave për këtë ndeshje.

“Ka mbetur edhe një sasi e kufizuar e biletave për ndeshjen e sotme mes Feronikelit dhe Prishtinës. Pas orës 12:00 do të vazhdojë shitja e tyre edhe para dyerve të stadiumit”, thuhet në njoftimin e Feronikelit.

Klubi nga Drenasi po ashtu i ka njoftuar zotëruesit e biletave se dyert e stadiumit do të mbyllen një orë para fillimit të takimit.

“Lusim shikuesit që të vijnë me kohë në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’, pasi që dyert e stadiumit mbyllen një orë para fillimit të ndeshjes, pra në orën 15:00”, thuhet tutje në njoftim.

Lideri Feronikeli është shumë pranë titullit në Superligë, pasi ka dy pikë më shumë se rivali Prishtina, që nënkupton se një barazim në këtë përballje të drejtpërdrejt do t’i mjaftonte për t’u shpallur kampion.