Vazhdon përplasja VV-PDK: Deputeti mbron Glauk Konjufcë, hedh akuza të rënda drejt Uran Ismailit

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, sërish ka hedhur akuza në drejtim të Partisë Demokratike të Kosovës, duke mbrojtur kështu Glauk Konjufcën.

Këtë herë është marrë më Uran Ismailin, i cili gjatë ditës ka thënë se Konjufca duhet të shkarkohet për shkak se inspiroi dhe rekrutoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit”.

“Kush po merret me Glaukun. Dikush që talentin për të gënjyer e shet si vlerë. Dikush që gjithë jetën e tij e ka kaluar si poltron duke u futur nën sqetulla politikanëve të korruptuar”, ka thënë Bajqinovci.

“Dikush që kishte premtuar reforma të shumta në shëndetësi por që në fund kishte arritur ta realizonte vetëm një: kishte arritur ta reformonte sistemin e korrupsionit brenda institucioneve shëndetësore. Rrjedhën e parasë së korrupsionit nga shumë drejtime, e kishte kanalizuar në një drejtim të vetëm. Njeriu që i jep tendera për barna disa milionësh, fëmijëve të ish deputeteve të PDK’së e poashtu, edhe dostave të vet. Ndërkohë pacientët ngelnin pa barna”!

“Ministri që i punëson zyrtarët e partisë në shërbim civil, spitale si dhe duke e mbushur me familjarë e dosta të tij, e të zyrtarëve tjerë të PDK’së. E bëri mish mash, procesin e funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore, e i genjeu mjekët e personelin tjetër shëndetësor për rritjen e pagave, ndërkohë që partia e tij, e monton procesin e pezullimit të atij ligji”.