Imer Mushkolaj

Vazhdon përplasja Bajrami- Mushkolaj: Drejtësia po e kryen punën e saj, s’kam bërë asgjë që të më vije turp

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka polemizuar me analistin Imer Mushkolaj për vjedhjen e 2.1 milionë eurove në Thesarin e Shtetit gjatë vitit 2020 kur kjo e para ishte Ministre e Financave.

Fillimisht, ishte Mushkolaj ai që i ka reaguar deputetes, Hykmete Bajrami, e cila kërkoi zbardhjen e vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit. Analisti ka thënë se edhe në kohën sa ajo ishte ministre janë vjedhur 2 milionë euro dhe as ky krim nuk është zbardhur.

Mushkolaj ka thënë se me pas qenë në vendin e Bajramit nuk do ta kishte çelur gojën fare.

Ndërkohë Bajrami përsëri i ka reaguar duke i thënë se të dyshuarit për rastin ën fjalë tani janë në burg dhe ka shtuar se Mushkolaj duhet të informohet para se të flasë.

“z. Mushkolaj, unë s’kam bërë asgjë në këtë jetë për të me ardhë turp dhe për ta mbajtë gojën mbyllur. Shko i gjen në burg hajnat e 2.1 milionë eurove. Me pasë qenë në vendin tuaj isha informu se çka ka ndodh me rastin e 2.1 milionë euro. Isha informu se ka aktakuzë për këtë rast, ka nisë gjykimi dhe të akuzuarit janë në paraburgim. Gjithçka po zbardhet dhe dihet çdo cent se ku ka shku. Drejtësia po e kryen punën e saj”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë tutje se krimet ndodhin në kohën e secilës qeveri, por se ato duhet të zbardhen.  

“Si në kohën time, si në kohën tënde, si në kohën e Qeverisë së tanishme, krimet duhet të zbardhen dhe kriminelët të dënohen. Për secilin krim kurdo e kudo që ndodhë do të kërkoj të zbardhet. Sikurse edhe krimi në Gllogjan të Deçanit”, shtoi ai. /Gazeta Express/