Vazhdojnë protestat në veri kundër taksës
Studentët serb të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar përsëri sot në veri të Mitrovicës, kundër vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vendosur një taksë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.
Ata kanë thënë se nëse Prishtina nuk do të largojë këtë taksë, atëherë do të mbesin dhe pa bukë.
Me gojë të mbyllura, e me pëllumba në dorë, ata kanë dhënë mesazhe për kryeqytetet kryesore të Evropës.
Milan Savic, thotë se kjo protestë është në vazhdën e reagimeve për të bërë presion mbi Bashkimin Evropian që të reagojë kundër kësaj takse.
“Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk do të marrë masa, shumë shpejt do të mbetemi pa bukë, dhe kjo do të jetë e vështirë për ne”, ka thënë ai për ‘telegraf,rs’, transmeton Express.
Studentja tjetër, Nemanja Bisevac, ka thënë se të gjithë studentët po e përkrahin protestën kundër taksës.
Ditë më parë kanë protestuar edhe punëtorët e qendrës shëndetësore që gjendet në veri të qytetit të Mitrovicës.
Ata kanë thënë që shumë shpejtë kjo qendër do të përballet me mungesë të barnave, shkaku i taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës.