Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj largimit të fotografisë së Ibrahim Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë nga Presidenca.

Abdixhiku e ka cilësuar këtë vendim të gabuar, duke i kërkuar presidentes ta rishikojë atë.

“Ibrahim Rugova ka vendin e tij në Presidencën e Kosovës, sepse ka vendin e tij në themelet e këtij shteti. Po aty e ka vendin edhe Deklarata e Pavarësisë, akti themelues i Republikës sonë”, ka deklaruar ai.Reklamë

Sipas Abdixhikut, Presidenca ka përgjegjësi ta ruajë kujtesën shtetërore, pavarësisht preferencave personale dhe dallimeve politike.

“Prandaj, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ftoj Presidenten ta rishikojë këtë vendim dhe t’i rikthejë fotografinë e Presidentit Rugova dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendin e tyre. Historia që ato përfaqësojnë na përket të gjithëve”, ka theksuar ai.

Abdixhiku e ka përmbyllur reagimin duke iu referuar portretit të Rugovës në Parlamentin Evropian.

“Do t’i bënte nder edhe asaj. Siç i bën nder sot ky portret edhe Parlamentit Evropian”, ka përfunduar ai.