Vazhdojnë ngacmimet seksuale ndaj të miturve në afërsi të shkollave

Rastet e ngacmimeve seksuale në Kosovë janë të shpeshta.

Rasti i cili tronditi opinionin ndodhi në Drenas, ku një vajzë e mitur raportoi se ishte abuzuar seksualisht nga profesori i saj dhe më pas nga hetuesi policor, i cili e kishe marrë përsipër të hetonte rastin e përdhunimit të saj nga profesori.

Ndërsa, së fundi u raportua se në komunën e Vitisë, një person i kishte ngacmuar seksualisht dy të mitura teksa ato ishin duke shkuar në shkollë, shkruan lajmi.net.

Në pesë muajt e parë të këtij viti, janë raportuar katër raste të ngacmimeve seksuale në afërsi të shkollave. E në vitin e kaluar ishin shënuar pesë raste të kësaj forme.

Gjatë dy viteve të fundit në Kosovë gjithsej janë shënuar 123 raste të ngacmimeve, keqtrajtimeve apo abuzimeve me fëmijë, të cilat njihet edhe si raste të pedofilisë. Në vitin 2017 në polici janë paraqitur 62 raste të tilla, ndërsa në 2018-ën, 61 raste.

Në Policinë e Kosovës thonë për lajmi.net se duke u bazuar në detyrat dhe autorizimet policore që dalin nga ligji i policisë merren me të gjitha rastet e raportuar që kanë të bëjnë me vepra penale kundër integritetit seksual të specifikuara sipas Kodit Penal të Republikës.

Në këtë kontekst hyjnë edhe rastet e raportuara për veprat penale kundër integritetit seksual ku përfshihen abuzimet seksuale etj.

“Ne kemi në kuadër të policisë njësi relevante dhe zyrtarë të trajnuar mirë për trajtimin dhe hetimin e fushave specifike duke përfshirë këtu edhe trajtimin e rasteve apo veprave penale që kanë të bëjnë me integritetin seksual. Policia e Kosovës për çdo rast të raportuar ndërmerr veprimet e nevojshme ligjore duke bashkëpunuar ngushtë me personat përgjegjës për viktimat, qendrat për punë sociale, prokurorinë dhe akterët tjerë relevant të involvuar duke kryer intervistimet dhe hetimet e nevojshme për kompletimin dhe adresimin e rasteve tek organet kompetente për vendime të mëtejme”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Theksojmë se organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve kanë rekomanduar institucionet që të bëjnë punë më efektive në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.