Variantin “afrikano-jugor” i koronavirusit, priten rezultate për katër persona nga Tetova

Nuk ka raste të reja të regjistruara me llojin “delta” të virusit korona. Për katër personat nga Tetova, ende priten rezultatet për tu konfirmuar nëse tek ta është detektuar mutacioni “afrikano-jugor” i virusit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce tha se pret njoftim nga Akademia e Shkencave për katër rastet e dyshuara.

Me llojin “delta” deri më tash në vend janë regjistruar dhjetë raste. Megjithatë kjo për autoritetet nuk paraqet rrezik apo frikë për përkeqësim të situatës. Vendosja e masave restriktive,  kryesisht në kufij për momentin nuk është e nevojshme.

Edhe këtë fundjavë po bisedojmë, folëm edhe gjatë ditëve të shkuara tani për tani nuk ka paralajmërime se do të vendosim kufizime kundër përhapjes së llojit “Dellta”. Situate është e qetë, ka raste individuale mirëpo nuk shohim ndonjë rrezik për rritjen e numrit të pacientëve dhe nevojë për masa nëpër kufij që ta ulin rrezikun e përhapjes”, pohoi Venko Filipce, ministër i Shëndetësisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 13 raste të reja me Kovid19 nga 3404 testime të bëra. Numri i rasteve aktive në nivel të shtetit është 172, ndërsa shumë qytete janë me zero raste aktive, apo ndryshe kategorizohen si “zona të bardha”.

Nga e hëna fillon vaksinimi në terren i qytetarëve. Secili qytetar i cili dëshiron të vaksinohet, mund të ju drejtohet pikave të vaksinimit pa termin të caktuar paraprakisht. Kjo pritet të rrisë dukshëm numrin e të imunizuarve në vend. Nga e hëna do të nis edhe vaksinimi i fëmijëve  nga mosha 12 deri 16 vjeç. Deri më tash me dy doza janë vaksinuar 240.651 persona./Alsat/