Van Gaal mendon se Barcelona nuk duhet ta rikthejë Neymarin
Ish trajneri i Barcelonës, Louis Van Gaal beson se gjigandi katalanas nuk duhet ta rikthejë në skuadër yllin Brazilian, Neymar, për shkak se nuk do të ishte lëvizje e zgjuar.
Raportohet se PSG-ja është e gatshme të lejojë largimin e Neymarit nga “Parc des Princes” për shumën e 200 milionë eurove, ndërsa në “Camp Nou” është rritur interesimi për 26 vjeçarin që ka shënuar 105 gola në 186 paraqitje me fanellën “Blaugrana”.
Megjithatë, trajneri veteran, Van Gaal nuk pajtohet me idenë e rikthimit të Neymarit te Barcelona duke e kritikuar për individualitetin e tij.
“Mendoj se nuk është një lëvizje e duhur për Barcelonën, por ky është vetëm mendimi im. Neymar është ende një futbollist i ri që mund të vazhdojë të rritet. Ai duhet të mësohet të jetë lojtar i skuadrës, Neymar është shumë individualist. Dhe besoj se kjo është arsyeja që Barcelona duhet të jetë e kujdesshme me vendimin për rikthimin e tij”, theksoi Van Gaal.
Pas kalimit te Paris Saint Germain në verën e vitit 2017, Neymar u shndërrua në futbollistin më të shtrenjtë me koston e transferimit që kapi shifrën e 222 milionë eurove.