Van Dijk u tall me Cristiano Ronaldon, reagojnë motrat e yllit portugez

Lionel Messi fitoi Topin e Artë për herë të gjashtë në karrierë, duke parakaluar Cristiano Ronaldon me 5 të tillë, por një gjë e tillë nuk u prit aspak mirë nga familjarët e portugezit, që shpërthyen në rrjetet sociale.

Kështu motrat e Ronaldos reaguan mjaft ashpër, njëra prej të cilave u kap me deklaratën e mbrojtësit holandez të Liverpoolit, Virgil Van Dijk dhe tjetra ngriti pyetjen se çfarë ka fituar më shumë Messi, që meritoi trofeun këtë sezon.

“I dashur Virgil, kur të fitosh trofe të rëndësishëm, që vlejnë, atëherë flasim bashkë. Duhet të dish që Ronaldo nga ata ka fituar shumë dhe plot 5 herë Topin e Artë. Ronaldo është një kampion në vendet ku ka luajtur dhe në Premier League është shpallur edhe golshënuesi më i mirë. Kur të fitosh edhe ti disa tituj, atëherë mund të ulesh në një tavolinë me Ronaldon”, shkroi Katia Aveiro, pas deklaratës së Van Dijk, që tha se nuk e kuptonte pse Ronaldo ishte pretendent për të fituar Topin e Artë.

“Nuk kam asgjë me këtë djalë (Messin), por thjesht nuk e kuptoj çfarë ka fituar më shumë se vëllai im, që të marrë këtë çmim”, shkroi motra tjetër e yllit të Juventusit, Elma Dos Santos.

Nuk mund të ngelte pa reaguar edhe nëna e portugezit, që në një status në rrjetet sociale shprehu gjithë mbështetjen ndaj të birit, duke e cilësuar si “heroin dhe krenarinë e familjes dhe të gjithë Portugalisë”.