Qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, insistoi se skuadra e tij do të jetë gati për këdo që do të përballet në finale të Ligës së Kampionëve.

Holandezi Virgil van Dijk e luajti një rol të rëndësishëm në skuadrën e Jurgen Klopp për ndeshjen e mbrëmshme kundër Barcelonës. Ai beson se me atë paraqitje, Liverpooli dëshmoi se mund t’i mposhtë të gjithë.

Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4-0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Klopp kishte pësuar disfatë 3-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”,

“Ne ndiejmë se mund ta mposhtim këdo çdo herë që dalim në fushën e lojës. Ne nuk dalim asnjëherë në fushë duke menduar se nuk do të mundemi ta mposhtim dikë”, është shprehur Van Dijk.

“Do të jetë një sfidë e vështirë për të dy ato skuadra [Ajaxin dhe Tottenhamin] dhe ne vetëm duhet të presim për ta parë se kush do të vijë në Madrid dhe të fillojmë të përgatitemi”.

Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi ka fittuar me rezultat 0-1 ndeshjen e parë në Londër dhe sfidën e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi.