Fituesi i derbit

Van Dijk lavdëron paraqitjen e Shaqirit në fitoren ndaj Manchester Unitedit

Dy golëshi i Xherdan Shaqirit ishte vendimtar në triumfin e Liverpoolit në derbin e djeshëm kundër Manchester Unitedit, ndërsa lëvdata për sulmuesin shqiptar ka pasur edhe lideri i mbrojtjes te “The Reds”, Virgil Van Dijk.

Mbrojtësi holandez beson se paraqitja e Shaqirit mund të jetë vitale në garën e Liverpoolit për titull në Premier League.

Shaqiri u inkuadrua në lojë në minutën e 70-të të ndeshjes ndërsa realizoi dy gola brenda 10 minutave, duke qenë faktor kyç në fitoren e Liverpoolit 3-1 përballë “Djajve të Kuq”.

27 vjeçari ka shënuar 5 gola në 13 paraqitje këtë sezon në Premier League, ndërsa Van Dijk ka mbetur i impresionuar nga performanca e reprezentuesit të Zvicrës që prej ndeshjes miqësore gjatë verës pikërisht ndaj Manchester Unitedit.

“Në fund Shaqa i madh erdhi dhe e përfundoi punën për ne. Ai është lojtar fantastik, e ka treguar këtë që nga ndeshja e parë kundër Manchester Unitedit në SHBA. Shaqiri ka diçka të ndryshme, dhe ndonjëherë e ndryshon ndeshjen”, tha Van Dijk.

Liverpooli vazhdon të jetë lider në Premier League pas 17 xhirove të zhvilluara, derisa ka një pikë më shumë se ndjekësi Manchester City, me skuadrën e Klopp që nuk e ka provuar ende shijen e humbjes.