Virgil Van Dijk e ka lavdëruar bashkëkombësin e tij, Matthijs de Ligt, përkundër që ai nuk e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme karrierën e tij në Serie A me Juventusin.
Ish mbrojtësi i Ajaxit, Matthijs de Ligt, u kritikua për paraqitjen e tij në fitoren dramatike të Juventusit me rezultat 4-3 kundër Napolit, të shtunën.
20-vjeçari luajti përkrah Leonardo Bonuccit për shkak se Giorgio Chiellini e ka pësuar një lëndim që do ta mbajë jashtë fushës së blertë për një kohë të gjatë. Mirëpo, ai nuk e pati të lehtë t’i rezistojë sulmit të Napolit gjatë pjesës së dytë dhe pati rol në tri golat që Juventusi i pranoi.
Trajneri i ekipit kombëtar të Holandës, Ronald Koeman, e mbrojtësi qendërmbrojtësin 75 milionë eurosh dhe ylli i Liverpoolit, Van Dijk, i përsëriti edhe një herë lëvdatat për De Ligt.
“E pash se Matthijs erdhi këtu shumë normalisht. Asgjë nuk ishte keq”, tha lojtari më i mirë i vitit i UEFA-s në një konferencë për shtyp të dhënë para ndeshjes kualifikuese për EURO 2020 të Holandës kundër Gjermanisë.
“Të gjithë ata që e njohin e dinë që ai gjithmonë qëndron i qetë në situata të tilla. Natyrisht, unë fola me të. Por, ne nuk kemi nevojë t’ia themi njëri-tjetrit këto gjëra. Mendoj se kjo është diçka për të cilën flet vetëm kur takoheni për herë të parë përsëri”.
“Pas kësaj, përqendrimi mbetet te e ardhmja dhe ndeshjet qe i kemi përpara vetes. Kështu që ne e bëmë pikërisht këtë gjë”.
Pas ndeshjeve kundër Gjermanisë dhe Estonisë me Holandën, De Ligt do të kthehet në skuadrën e Juventusit për ndeshjet kundër Fiorentinës në Serie A dhe Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve.







