Van der Vaart e cilëson Iscon si futbollistin më të mirë në botë

Ish-mesfushori i Real Madridit, Rafael van der Vaart, beson se mesfushori spanjoll, Isco, është futbollisti më i mirë në botë, përkundër që ai nuk po arrin ta zë një vend në formacionin e parë të “Los Blancos”.

E ardhmja e Iscos në Madrid mbetet e paqartë, pasi që trajneri Santiago Solari nuk i beson atij mjaftueshëm për ta lënë titullar. Për shkak numrit të vogël të minutave që Isco po i luan me Real Madridin, kanë filluar spekulimet se ai mund të transferohet në Manchester City.

26-vjeçari i ka bërë vetëm pesë paraqitje si titullar në La Liga këtë sezon, mirëpo ishte pjesë e formacionit të parë në ndeshjen e mbrëmshme kundër Leganes, të cilën madrilenët e humbën me rezultat 1:0. Përkundër disfatës, djelmoshat e Solarit u kualifikuan në çerekfinale të Kupës së Mbretit, pasi që ndeshjen e parë e kishin fituar me rezultat 3:0.

Ish-mesfushori i Real Madridit, Van der Vaart, i cili i dha fund karrierës së tij si futbollist profesionist në nëntor të vitit të kaluar, është tronditur nga vendimi i Solarit për të mos e aktivizuar më shumë Iscon, të cilin e konsideron lojtarin më të mirë në botë.

“Është çmenduri për mua, ai është futbollisti më i mirë në botë. Por, ai gjithmonë ka probleme me trajnerët dhe madje as Zinedine Zidane nuk i besonte atij 100 për qind. Kur unë shkoj për ta shikuar Real Madridin, e shikoj nëse është Isco titullar apo jo. Nëse nuk është, atëherë shkoj në shtëpi”, ka thënë Van der Vaart.

Real Madridi është duke e pasur një sezon tronditës pas largimit të Zinedine Zidane në fund të sezonit të kaluar. Julen Lopetegui u shkarkua nga pozita e trajnerit në tetor, vetëm tre muaj pasi ishte emëruar në këtë pozitë.

As Solari nuk ka arritur ta dëshmojë veten që nga emërimi i tij në pozitën e trajnerit, pasi që Real Madridi pozicionohet në vendin e katërt në tabelën e La Ligës, dhjetë pikë larg Barcelonës.