Legjenda e futbollit

Van Basteni flet për golin e anuluar të Rrahmanit: Është për të qarë

Legjenda e futbollit të Holandës, Marco van Basten, është ndarë shumë i pakënaqur për mënyrën se si po përdoret sistemi VAR në futboll.

Ai ka folur për golin e anuluar të Amir Rrahmanit, futbollistit të Napolit, i cili shënoi gol të bukur me kokë.

Megjithatë, goli i Rrahmanit u anulua për pozitë jashtë loje, ndonëse milimetrat ia mohuan golin atij.

Ky vendim nuk ndikoi në rezultatin e ndeshjes ndaj Atalantas, të cilën Napoli e fitoi me rezultatin 2:1, falë golave të Khvicha Kvaratskhelias dhe Eljif Elmasit.

Ai ka folur edhe për disa momente të tjera diskutabile që ndodhën në ligat evropiane të futbollit në këtë fundjavë.

“Kjo është për të qarë. A nuk është diçka për të qarë”, ka thënë fillimisht ish-sulmuesi holandez për “Ziggo Sport”. “Është thjeshtë një gol fantastik. Ai nuk është në pozitë jashtë loje krahasuar me lojtarin kundërshtar. Si është e mundur që të jepet pozitë jashtë loje. Nëse e shihni këtë rast, nuk është e drejtë”, ka deklaruar Van Basten.

Van Basten është kritik i madh i sistemit VAR në futboll. Ka edhe shumë njohës tjerë të futbollit që po i vlerësojnë të pakuptimta disa momente të anulimeve të golave dhe mënyrës se si po funksionon VAR-i në futboll.