Van Basten: Milani magjik, Sacchi nuk shpiku asgjë

Marco Van Basten është një emër që shkakton shumë nostalgji, emocione dhe dhimbje për popullin milanist, por jo vetëm.

Holandezi mbahet si një ndër sulmuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit.

“Mjelma e Utrecht” ishte ylli i Milanit magjik të viteve ’90, fitoi 15 trofe, mes tyre  tre herë “Topin e Artë” dhe u tërhoq nga futbolli në moshën 28-vjeçare. Idhulli i kuqezinjve ka dhënë një rrëfim interesant për Sette, aty ku prek tema të ndryshme.

“Të gjithë e dinë që titulli në vitin 1990 na u vodh (e fitoi Napoli), por askush nuk e ka guximin për ta pranuar. Kjo ndodhi nga sistemi i futbollit italian, nga ata që kishin interes të dërgonin dy skuadra italiane në Kupën e Kampionëve”.

Sacchi? Nuk kam pasur kurrë një lidhje të fortë me të. Asnjëherë nuk më dha përshtypjen se ishte i sinqertë në raportet njerëzore. Nuk ishte një tip i drejtpërdrejtë. Kur nuk kënaqej me mënyrën si stërviteshim, ia nxirrte inatin lojtarëve të rinj, atyre më të dobëtëve. Historinë e shkruan lojtarët”.

“Ai Milan ishte një ndër skuadrat më të fortë të gjitha kohërave. Edhe Sacchi pati meritën e vet. Ishte i aftë për të bërë miq gazetarët. Dinte të ndërtonte një imazh të një inovatori të shkëlqyer, por nuk është se shpiku ndonjë gjë”.

“Skema që përdorte Milani nuk ishte as revolucionare dhe as ofensive. Kishim mbrojtës të shkëlqyer në skuadër. Mbrojtja ndikonte që të fitonim aq shumë. Sacchi merrej vetëm me mbrojtjen dhe i kushtonte pak kohë pjesës ofensive”.

Pengje? Një herë i thashë në dhomat e zhveshjes se nuk fitonim falë tij. Ai mbeti keq dhe doli jashtë pa thënë asnjë fjalë. E ndjeva që e kisha lënduar dhe nuk e meritonte. Më vjen keq edhe sot për atë episod, edhe pse ka kaluar shumë kohë. Mund të them që nuk kam asnjë problem me të në aspektin personal, e mbaj mend me dashuri”, përfundon Marco Van Basten.