Van Basten: Kushdo që thotë se Ronaldo është më i mirë se Messi nuk di asgjë

Ish sulmuesi i Ajaxit dhe Milanit, Marco Van Basten, ka marrë anët në debatin se Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo është lojtari më i mirë në botë.

Holandezi e vlerëson sulmuesin e Juventusit, por ka thënë se argjentinasi nuk mund të krahasohet me asnjë lojtar tjetër.

“Cristiano Ronaldo është një lojtar i shkëlqyeshëm, por ata që pretendojnë se ai është më i mirë se Messi nuk kuptojnë asgjë për futbollin”, ka thënë ai për Corriere della Sera.

“Messi është unik, i paimitueshëm dhe i papërsëritshëm. Lojtarët si ai paraqiten çdo 50 ose 100 vjet”.

“Si fëmijë ai ishte në mesin e gjenive të futbollit”, ka thënë holandezi.

Van Basten u tërhoq nga futbolli në një moshë relativisht të re dhe holandezi i admiron ata që ende luajnë futboll në nivel të lartë, mbi të 30-tat.

“Në thelb ndalova të luaja në 28 vjeç. Unë kisha fituar tre Topa të Artë”.

“Shikoni se ku janë Ronaldo dhe Messi, të dy mbi 30 vjeç”, ka deklaruar ai.