Ernesto Valverde pranoi se humbja e Barcelonës ndaj Liverpoolit, në gjysmëfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve, ka lënë një shije të keqe te Lionel Messi.
Ylli argjentinas, megjithatë, i ndihmoi të tijtë të fitonin 2-0 ndaj Getafe, të dielën.
“Për ne, një fitore pas disfatës së dhimbshme në “Anfield” ishte e domosdoshme, për të hequr fantazmat në kokat tona, – u tha Valverde gazetarëve, pas fitores me Getafen. – Gjithkush do të kthehet mbrapa, në atë moment, që na i prishi planet e sezonit, edhe pse do të jetë e vështirë për t’i dhënë një shpjegim. Sidoqoftë, tani duhet të kemi në mendje vetëm finalen e Kupës së Mbretit.
Messi është duke bërë përpjekje për ta kapërcyer shijen e keqe, që i la humbja me Liverpoolin dhe eliminimi nga Liga e Kampionëve. Të gjithë kishim shpresa të mëdha se do të shkonim në finale, ndaj jemi mjaft të mërzitur, por duhet të shohim përpara. E kemi edhe një trofe në lojë, të cilin duam ta fitojmë”.
Barcelona, pasi ka vulosur titullin e La Liga-s, do të përballet me Eibar të shtunën, në ndeshjen e fundit të kampionatit spanjoll. Pas kësaj, fokusi do të kthehet te finalja e Kupës së Mbretit ndaj Valencias, e cila do të luhet më 25 maj.







