Kontrata e trajnerit të Barcelonës, Ernesto Valverdes, pritej të përfundonte në fund të këtij sezoni, mirëpo klubi i ka bërë disa lëvizje për t’u siguruar se do t’i kenë shërbimet e trajnerit edhe për më gjatë.

Barcelona ka arritur marrëveshje të re me Valverden, që e mban tani trajnerin deri në fund të sezonit 2019/20 te klubi katalonas, pasi që në kontratën e tij përfshihej edhe opsioni për ta vazhduar marrëveshjen edhe për 12 muaj tjerë.

Kjo klauzolë është shfrytëzuar nga drejtuesit e klubit të “Blaugranëve” dhe Valverde tani do të jetë në pozitën e trajnerit të Barcelonës për të paktën edhe një sezon tjetër.

❗ [LATEST NEWS] Agreement to extend Ernesto Valverde's contract
More info 👉 https://t.co/LiAjy53jnP pic.twitter.com/ehuoU4V5ms

— FC Barcelona (@FCBarcelona) February 15, 2019

Valverde u emërua në pozitën e trajnerit të Barcelonës në maj të vitit 2017, mirëpo sipas artikujve të publikuar në mediat spanjolle, ai nuk pritej të mbetej në këtë pozitë për edhe një kohë më të gjatë.

Mirëpo, Barcelona e zyrtarizoi vazhdimin e marrëveshjes me trajnerin i cili ia kishte fituar titullin e La Ligës dhe Kupën e Mbretit në sezonin e tij të parë në këtë klub.

Valverde ka qenë trajner i Barcelonës për plot 96 ndeshje, 65 prej të cilave i ka fituar, 22 i ka barazuar dhe në nëntë ka pësuar disfatë. 43 nga 65 fitoret kanë qenë në kuadër të La Ligës, 11 në Kupën e Mbretit, dhjetë në Ligën e Kampionëve dhe një në Super Kupën e Spanjës.

“Që nga ardhja e tij në pozitën e trajnerit, Valverde ka arritur disa shifra spektakolare, të cilët janë arritur vetëm nga pak njerëz të tjerë. Në sezonin e tij të parë, ai e fitoi edhe titullin e La Ligës, edhe të Kupës së Mbretit dhe në sezonin 2018/19 e shtoi edhe Super Kupën e Spanjës në këtë listë”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga Barcelona.