Valverde lavdëron ndikimin e Dembeles në fitoren e Barcelonës kundër Villarrealit

Sipas trajnerit të Barcelonës, Ernesto Valverde, shpejtësia dhe driblimet e Ousmane Dembeles ishin vendimtarë në fitoren 2-0 të katalanasve ndaj Villarrealit.

Triumfi ndaj “Nëndetëses së Verdhë” riktheu Barcelonën në krye të tabelës në La Liga pasi që Sevilla arriti vetëm një barazim në udhëtim te Deportivo Alaves.

Dembele që së fundmi është kritikuar për mënyrën e jetesës dhe është spekuluar që mund të largohet nga Barcelona, ishte ndër lojtarët më të mirë të “Blaugranave” teksa asistoi në golin e parë të Gerard Piques, me trajnerin Valverde që e ka nënvizuar kontributin e sulmuesit francez gjersa kërkoi përmirësimin në posedimin e topit.

“Dembele ishte njëri prej lojtarëve më të spikatur në fushë. Ai bëri shumë gjëra pozitive dhe ne presim edhe shumë ndeshje tjera të mira. Ajo që mori vëmendjen time ishte shpejtësia, driblimet dhe goditjet e tij. Në pjesën e dytë na mungoi posedimi i topit që na ndikoi paksa të vuajmë. Nuk jemi të kënaqur me ato çfarë kemi parë kur nuk e kemi topin në kontroll”, deklaroi Valverde.

Barcelona kryeson klasifikimin në La Liga me 28 pikë, një më shumë se ndjekësi i parë Sevilla, ndërsa kampionët në fuqi numërojnë 3 pikë më shumë se Atletico dhe 5 më shumë se Real Madridi.