Valverde i kënaqur me paraqitjen pavarësisht se Barcelona fitoi në fund ndaj Leonesas

Barcelonës iu nevojit një gol i vonshëm i Lenglet në minutën e 91-të për të mposhtur në Copa del Rey skuadrën nga kategoria e tretë e futbollit spanjoll, Cultural Leonesa.

Trajneri i katalanasve, Ernesto Valverde lavdëroi paraqitjen e skuadrës që kishte në përbërje 3 lojtarë nga akademia.

“Skuadra e kishte qasjen e duhur për të fituar. Por ishte e vështirë të mbaje ritimin e duhur dhe ne humbëm disa topa për shkak të agresivitetit të kundërshtarit. Futbolli është një test i vazhdueshëm, por ndaj Leonesas pashë gjëra pozitive. Lojtarët e mi u dukën mirë, morën përsipër shumë përgjegjësi”, theksoi Valverde.

Arturo Vidal që u aktivizua titullar në ndeshjen e mbrëmshme, shprehu dëshirën e tij për të fituar vendin te Barcelona për të qenë startues i rregullt, ndërsa ka vetëm 3 paraqitje nga minuta e parë prej se u transferua në “Camp Nou” nga Bayerni verën e kaluar.