Valverde i frikësohet Napolit: Ka skuadër të rrezikshme

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, insiston se Napoli është një kundërshtar i rrezikshëm dhe se skuadra e tij do të duhet të përgatitet mirë për ndeshjen mes dy klubeve në kuadër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Katalonasve u ra shorti të luajnë kundër klubit të Serie A në rundin e parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve, pas shortit të së hënës në Nion. Ndeshja e parë do të luhet në San Paolo më 25 shkurt, ndërsa ndeshja kthyese në Camp Nou.

Napoli e ka pasur një sezon të vështirë në Serie A deri më tani, pasi që humbja e tyre e fundit, me rezultat 2-1 në shtëpi kundër Parmas, i la ata në pozitën e tetë në tabelë, me 18 pikë prapa Interit dhe Juventusit.

Përkundër rezultateve të dobëta në ligë, që e sollën shkarkimin e Carlo Ancelottit dhe emërimin e Gennaro Gattusos në postin e trajnerit, Napoli e mbylli Grupin E të Ligës së Kampionëve pa disfatë dhe është e vetmja skuadër që e ka mposhtur Liverpoolin në ndonjë garë këtë sezon.

Valverde beson se Barcelona do të duhet të jetë në formën më të mirë të vet për këtë ndeshje nëse dëshiron të kalojë në fazën çerekfinale, edhe pse skuadra e tij fitoi me rezultat 4-0 në takimin e tyre të fundit në parasezon.

“Napoli është një skuadër e rrezikshme. Është e qartë se ata nuk janë në momentin më të mirë të tyre. Ata e kanë ndryshuar trajnerin dhe do të duhet t’i përshtaten atij pak nga pak”, ka thënë Valverde.

“Ne do ta shohim se si do të jenë ata kur të vijë shkurti, por, pa asnjë dyshim, ne do të përgatitemi për këtë ndeshje shumë mirë’.

“Do të jetë një atmosferë e madhe, në një stadium të madh, ku tifozët janë shumë afër. Por, kjo është në rregull. Ne kemi luajtur në atmosfera të tilla dhe do të jetë bukur ta përjetojmë atmosferën në Napoli”.

Ndërkohë, Gattuso ka premtuar se Napolit do të shkojë në këtë përballje me qëllimin për ta dëshmuar veten pa u frikësuar.

“Barcelona është klub i mrekullueshëm dhe do të jetë një sfidë e madhe përgjatë dy përballjeve mahnitëse. Ne nuk do të frikësohemi aspak”, ka thënë Gattuso.