Tre golëshi i uruguaianit

Valverde e sheh normale paraqitjen e Suarezit në “El Clasico”

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde e ka përshkruar tre golëshin e Luis Suarez në “El Clasico” ndaj Real Madridit si një gjë normale.

Dy golat tjerë nga Coutinho dhe Vidal çuan rezultatin në 5-1 duke i deklasuar madrilienët, trajneri i të cilëve, Julen Lopetegui pritet të shkarkohet sot.

Suarez është kritikuar shumë këtë sezon për formën e dobët, por performanca e jashtëzakonshme e uruguaianit dje, ka bërë që të shkojë në kuotën e 7 golave e 6 asistimeve në 14 paraqitje në të gjitha kompeticionet.

Ndërsa për Valverden vlera e ish sulmuesit të Liverpoolit ka qenë e ditur gjithmonë.

“Kjo është një situatë normale. Sezonin e kaluar ndodhi e njejta gjë me Suarezin. Secili fliste për mungesën e golave, por puna e madhe e tij i sjell rezultatet. Ne fituam sepse e kishim atë në skuadër. Nuk besoja se do të pranoja pyetje për të, por vlera e Suarezit për skuadrën ka qenë gjithmonë e pranishme”, u shpreh trajneri i Barcelonës.

Barcelona kryeson tabelën në La Liga me 21 pikë, teksa Real Madridi ndodhet në vendin e 9-të me 7 pikë më pak se katalanasit.