Ylli i Barcelonës, Lionel Messi përfundoi vetëm në vendin e 5-të të rradhitjes për garën e Topit të Artë, gjersa kjo renditje e ka lënë të habitur trajnerin e klubit katalanas, Ernesto Valverde.
Këtë vendim Valverde e ka cilësuar si absurd, kurse Messi është 5 herë fitues i këtij trofeu individual, por Luka Modric i dha fund dominimit të sulmuesit argjentinas dhe Cristiano Ronaldos që kishin fituar në 10 vitet e fundit.
Kjo është hera e parë prej vitit 2006 që Leo Messi mbetet jashtë podiumit, me Modric, Ronaldo, Griezmann dhe Mbappe që përfunduan para kapitenit të Barcelonës.
Ernesto Valverde ka treguar se ishte e vështirë të pranojë faktin se Messi ishte jashtë top treshes.
“Nuk dua të merrem me rezultatet e atij trofeu. Mendoj se njerëzit që kanë votuar duhet të përgjigjen. Secili e ka mendimin e tij ndërsa për ne ky rezultat është absurd. Sidoqoftë e përgëzojmë Luka Modricin për titullin e fituar”, theksoi Valverde.
Barcelona përballet sonte me Cultural Leonesan në ndeshjen kthyese të 1\32 të Copa del Rey, vlen të përmendet se sfida e parë ishte fituar nga “Blaugranat” 0-1 në udhëtim.







