Çdo të mirë i vije fundi, njëjtë edhe periudhës historike të Toni Kroos me fanellën e Real Madridit.
Tashmë janë bërë mbi 10 ditë që 34-vjeçari njoftoi se do të pensionohet nga futbollit aktiv në fund të këtij sezoni.
I njohur edhe si “Snajperi gjermani”, Kroos po ‘perëndon’ karrierën si kampion i La Liga dhe Superkupës së Spanjës, që të dyja të fituara këtë vit, shkruan “Gazeta Express”.
Mirëpo, ky nuk pritet të jetë fundi. Kjo pasi Real Madridi luan sonte në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve ndaj Borussia Dortmundit.
Toni Kroos ka sytë kah “veshëgjata”, dhe synon ta mbyllë karrierën e tij me Realin në nivelin më të lartë të mundshëm.
Takimi i sotëm do të jetë i fundit për fantazistin gjerman me Real Madridin, teksa do të luajë finalen e tij të shtatë në karrierë në Ligën e Kampionëve.
Nga gjashtë finale të LK-së, mesfushori 34-vjeçar ka dalë fitues në pesë raste, katër me Real Madridin dhe një me Bayern Munchen.
Toni Kroos po e mbyllë dekadën në Real Madrid me 464 ndeshje të zhvilluara, duke arritur të shënojë 28 gola. “Pasuesi më i mirë i topit” ka edhe 98 asistime në emrin e tij me fanellën mbretërore.
Me “Los Blancos”, Toni Kroosit nuk i munguan as trofetë, me të cilët kishte ‘krijuar’ lidhje të forta.
22 trofe në kabinetin e trofeve të Kroos si lojtari i klubit mbretëror të Real Madridit.
Një fakt interesant rreth Toni Kroos dhe karrierës së tij në Madrid, është se gjermani kishte një saktësi të pasimeve prej mbi 92% në çdo sezon në La Liga.
Derisa jemi te statistikat, Kroos është po ashtu lojtari me më së shumti pasime në pjesën e tretë të fushës, atë të sulmit, duke thyer mbrojtjen kundërshtare në 106 raste gjatë këtij sezoni në Ligën e Kampionëve.
Toni Kroos karrierën e tij në kryeqytetin spanjoll e kishte nisur më 17 korrik 2014, kur iu bashkua madrilenëve nga Bayern Muncheni për shumën e 25 milionë eurove.







