Futbollisti brazilian

Valencia i kundërvihet Vinicius-it: “Racizmi nuk luftohet me gabime dhe gënjeshtra”

Valencia ka akuzuar lojtarin e Real Madridit, Vinicius Junior se ka gënjyer në deklaratën e tij para gjykatës hetuese numër 10 të Valencias, në përshkrimin e ngjarjeve të ndodhura në ndeshjen në Mestalla më 21 maj, gjatë vizitës së Real Madridit.

Përmes një deklarate zyrtare, klubi i Mestalla i kërkon futbollistit brazilian të korrigjojë versionin që ka dhënë përmes videokonferencës në gjykatë, që u mbajt këtë të enjte, më 5 tetor. “Racizmi nuk ka vend në futboll apo në shoqëri, por nuk mund të luftohet me gabime apo gënjeshtra të pabaza”,- shprehet Valencia.

Valencia ka reaguar me forcë dhe energji, pasi Vinicius ka deklaruar para gjyqtarit se ofendimet raciste që ka marrë në Mestalla, ishin të përgjithësuara.

Deklarata e klubit “Mestalla” bazohet në informacionin që ka dalë gjatë gjithë mëngjesit të kësaj të enjte, ku thuhet se lojtari i Real Madridit ka thënë se klithmat “majmun, majmun” vinin nga pjesa më e madhe e tribunës.

Në fakt, Valencia e nis deklaratën e saj, duke shpjeguar se një gabim të ngjashëm interpretimi kishte pësuar edhe trajneri i Madridit, Carlo Ancelotti, kur pas ndeshjes tha në sallën e shtypit, se “i gjithë stadiumi” kishte shqiptuar ato fyerje raciste. Po atë natë të ndeshjes, klubi bëri një dalje publike përmes drejtorit të saj të korporatës, Javier Solís, për të kërkuar korrigjimin e këtij vlerësimi të gabuar. Në të vërtetë, trajneri italian, dy ditë më vonë në daljen e tij të parë publike, e korrigjoi versionin e tij të parë.

“Duke pasur parasysh informacionin e publikuar në lidhje me deklaratën e supozuar të dhënë në gjykatë nga futbollisti Vinícius Jr., ku thuhej se i gjithë stadiumi i Mestalla-s kishte fyerje raciste ndaj tij në ndeshjen mes Valencia CF dhe Real Madrid CF sezonin e kaluar. Siç e pranoi publikisht edhe vetë trajneri Carlo Ancelotti, në asnjë rast kjo sjellje nuk mund të përgjithësohet në të gjithë stadiumin “Mestalla”.

Klubi është plotësisht i vetëdijshëm për seriozitetin e kësaj çështjeje. Racizmi nuk ka vend në futboll apo në shoqëri, por nuk mund të luftohet me gabime, apo gënjeshtra të pabaza. Kjo çështje kërkon përfshirjen e të gjithëve dhe Valencia CF e kupton se duhet të jetë skrupulozisht e saktë dhe e përgjegjshme në këtë lloj demonstrate.

Tifozët e Valencias nuk mund të klasifikohen si racistë dhe Valencia CF kërkon që Vinicius Jr. të korrigjojë publikisht deklaratën e tij të supozuar këtë mëngjes,”- thuhet në deklaratën zyrtare të Valencias.