Vaksinat kundër gripit sezonal në Kosovë arrijnë brenda pak ditëve, qytetarët po i blejnë ato në barnatore

Kosovarët ende nuk janë vaksinuar me ilaçin kundër gripit sezonal. Ani se kërkesat këtë vit për vaksinim janë shumë më të mëdha se sa vitin e kaluar. Këtyre kërkesave u ka prirë edhe situata me Covid-19. E qytetarët në mungesë të marrjes së vaksinës në institucionet publike, atë po e blejnë në barnatoret private. Ndërkohë, nga Ministria e Shëndetësisë kosovare theksojnë se vaksina kundër gripit sezonal pritet që së shpejti të vijë në Kosovë.

Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kosovë ende nuk janë furnizuar me vaksina kundër gripit sezonal. Nga institucionet shëndetësore kosovare është thënë gjatë muajit shtator se janë siguruar 160 mijë e 500 doza të vaksinës kundër gripit, që janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë përmes Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe ato do të arrijnë në Kosovë në muajin nëntor.

Por tash, drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë po theksojnë se brenda ditësh do të arrijnë në Kosovë 160 mijë e 500 vaksina kundër gripit sezonal, ndërsa do të shpërndahen brenda muajit nëntor.

Ministri Armend Zemaj, u shpreh se këtë vit ka rritje mbi 60 për qind të sasisë së këtyre vaksinave.

“Sa i përket vaksinës për gripin sezonal, MSh përmes blerjes përmes UNICEF-it ka siguruar deri më tani 160 mijë e 500 vaksina të gripit sezonal, që paraqet rritje prej 60 për qind krahasuar me sasitë e këtyre vaksinave nga viti i kaluar. Vaksinat janë blerë nga ministria e Shëndetësisë ndërsa UNICEF ka kryer pjesën e prokurimit dhe aspektet logjistike rreth sigurimit të vaksinës. Këto vaksina do të shpërndahen për grupet e rrezikuara të popullatës sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe vaksinat janë katër valente që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal”, deklaroi Zemaj duke thënë se vaksinat tashmë janë nisur nga vendi i prodhimit.

“Këto vaksina tani më janë blerë, pjesa shtesë do të sigurohen edhe 55 mijë e 500 vaksina të së njëjtës cilësi. Vaksinat sipas njoftimet zyrtare nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë janë nisur nga vendi i prodhimit dhe do të arrijnë në Kosovë brenda ditësh dhe do të shpërndahen brenda muajit nëntor”, tha ai.

Rreth vonesave për arritjen e vaksinës kundër gripit sezonal tha se ka ndodhur në fillim të vitit 2020 dhe për këtë papërgjegjësi tha se ka pasur masa ndëshkimore.

Në anën tjetër, Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë sqaroi për Express se këto vaksina do të shpërndahen falas për qytetarët, përkatësisht për grupet më të rrezikuara.

Ai po ashtu shtoi se blerja dhe shitja e vaksinave në barnatore nuk ndalohet me ligj.

“Këtë vit është paraparë të vaksinohen rreth 500 mijë njerëz kundër gripit sezonal. Rreth 160,500 dozat e para është thënë se do të arrijnë në mesin e muajit nëntor. “Ky është njoftimi i fundit që ne si ministri e kemi marrë nga zyra e UNICEF-it, prej nga edhe do t’i blejmë vaksinat’’, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Qytetarët: Në QMF po thonë që s’ka vaksina, ne po i gjejmë ato në barnatore

Por këtë vaksinë në mungesë të ofrimit të saj nga shteti, personat në nevojë po e blejnë atë në barantore. Kështu i tha gazetës një gazient i cili thotë se ka arritur që ta blejë atë në vlerën e 15 eurovë në njërën nga barnatoret e vendit.

“E pritem nuk erdhi. Unë e kam babën në moshë. Cdo vit valksionet. Ka sëmundje kronike plotë. Tash edhe ky virusi tjetër. Na u deshtë me gjetë ku o e ku s’o për me ia ble. Gati 15 euro na kushtoj”, tha si.

Ndërkohë për nevojën e vaksinimit kundër gripit sezonal, alarmin e kanë ngritur edhe infektologët kosovarë. Salih Ahmeti thotë se infektimi me gripin sezonal e ulë imunitetin e popullatës, andaj janë më të rrezikuar që të sëmuren me COVID-19.

Ndryshe, vitin e kaluar kanë qenë 100 mijë vaksina në dispozicion për qytetarët. Këtë vit është menduar të shumëfishohet numri i vaksinimit, për shkak të pandemisë me COVID-19.

Kategoritë që duhet të vaksinohen në periudhën e gripave, janë të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna si dhe personat me sëmundje kronike.

Vaksina kundër gripit sezonali mbron njerëzit për një sezon dhe është kombinim i disa viruseve që janë në qarkullim.

Edhe udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, pati thënë se meqë gradualisht po i afrohemi sezonit të vjeshtës dhe dimrit, e që do të ketë në qarkullim edhe viruse të tjera të gripit, një hap i rëndësishëm është që Kosova të vaksinojë një numër sa më të madh të personave kundër gripit sezonal.

Në Kosovë, vitin e kaluar, shpërndarja e vaksinave kundër gripit sezonal kishte filluar në muajin dhjetor.