Vajzat e Mitrovicës debutojnë sot në Ligën e Kampionëve

Sot në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ekipi i vajzave i Mitrovicës do të bëhet skuadra e parë kosovare që luan në kuadër të fazës eliminatore të një gare evropiane.

Mitrovica e pret në Kosovë, Wolfsburgun për ndeshjen e parë në kuadër të 1/16 të finales së Ligës së Kampionëve.

Mitrovica ka shkruar historinë në futbollin e vajzave në Kosovë këtë vit, pasi që paraqitjet e saj ia kanë siguruar një vend në mesin e 32 skuadrave më të mirë në Ligën e Kampionëve. Kjo ishte hera e parë që edhe Kosova e edhe Shqipëria po përfaqësohen në rundin e 32 skuadrave më të mira të Ligës së Kampionëve së vajzave.

Prej sezonit 2012/13, Wolfsburgu ka qenë katër herë në finale të Ligës së Kampionëve, në dy prej të cilave fitoi medaljen e artë e në dy atë të argjendtë. Në tre sezonet e tjera ka arritur dy herë deri në çerekfinale, ndërsa një herë deri në gjysmëfinale.

Sezonin e kaluar, vajzat e Wolfsburgut i fituan të dy trofetë vendorë, duke u shpallur kampione në Frauen-Bundesliga dhe DFB Pokal.

Në anën tjetër, Mitrovica garoi në Ligën e Kampionëve të vajzave për herë të parë në sezonin 2018/19, megjithatë atë sezon ajo i humbi në tri ndeshjet në rundin kualifikues.

Për dallim nga ai sezon debutues, këtë herë Mitrovica ishte shumë më mbresëlënëse pasi që i fitoi të tria ndeshjet në rundin kualifikues dhe tani synon fitore edhe kundër Wolfsburgut, përkundër që është kundërshtar i vështirë.

Ndeshja kthyese mes këtyre dy skuadrave, në stadiumin “AOK”, do të zhvillohet pas dy javësh, më 25 shtator.

Mitrovicaset do të shpresojnë se do të marrin rezultate pozitive në këto dy ndeshje, në mënyrë që ta vazhdojnë rrugëtimin rekord edhe më tutje.

loading…