Ushtroi dhunë fizike e psikike ndaj gruas së tij, gjykata ia cakton një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhuna në familje nga neni 248 par.1 lidhur me par.2 të KPRK-së.

Të pandehurit B.K. iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pasi që Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 par.1 nën par. 1.1, e 1.2, pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së.

“Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që po të gjendet në liri i pandehuri B.K. mund të  përsëris  veprën  penale, ku i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, e cila vepër penale dyshohet se është kryer në ambiente familjare dhe atë në prezencën e fëmijëve të tyre”.

Pala ka të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.