Në fshatin Balincë, në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, banorët janë të shqetësuar për shkak se ura e ndërtuar jo shumë vite më parë ka filluar të dëmtohet.

Banorët dhe zyrtarët e Komunës së Malishevës thonë se çdo vit ka lëvizje të strukturës së kësaj ure e cila sipas raporteve të Ministrisë së Infrastrukturës, është e ndërtuar në vitin 2019.

Magjistralja Prishtinë-Pejë është shumë e frekuentuar, prandaj rreziku është edhe më i madh.

“Kjo është e rrezikshme, edhe Ministria edhe Komuna janë të njoftuar. Janë njoftuar edhe para një muaji, edhe para një viti. Po ashtu edhe policia janë të njoftuar”, ka thënë një banor i Balincës, raporton Ballkani.info.

Edhe Komuna e Malishevës thotë se është e vetëdijshme për seriozitetin e situatës, thuhet në kronikën e Klan Kosovës.

Kjo urë është ndërtuar nga Kompania Sallahu. Edhe në raportin e kësaj kompanie në web faqen e tyre për punët e kryera, figuron ndërtimi i urës në rrugën nacionale N9, segmenti Balincë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës së asaj kohe që udhëhiqej nga Pal Lekaj, përurimi i urës ishte bërë më 21 qershor të vitit 2019.

Vlera totale e investimit që përfshinte ndërtimin e urës me gjithë infrastrukturën përcjellëse, kapte shifrën 773,485 euro. /Ballkani.info/