Universiteti i Prishtinës regjistron një rritje prej mbi 15 mijë citimesh sipas Cybermetrics Lab

Në përditësimin e fundit të muajit korrik 2023, bërë nga Cybermetrics Lab, që është pjesë e Këshillit Kombëtar Kërkimor të Spanjës, Universiteti i Prishtinës ka regjistruar një total prej 71744 citimesh në “Google Scholar Citations” nga ekzaminimi i mbi 5000 institucioneve.

Ky numër shënon një rritje prej 15226 citimesh nga publikimi i fundit i bërë në janar të vitit 2023, në të cilin UP-ja ka pasur 56518 citime.  Ndërsa me rritjen e mëparshme gjashtëmujore prej 12288 citimesh, rritja totale nga korriku 2022 deri në korrik 2023 është 27514 citate. Ndërkohë, në një kontekst më të gjerë, krahasimi midis janarit 2022 dhe korrikut 2023 tregon një rritje prej 32275 citate.

Modeli i ndjekur në këtë edicion, në kategorinë e transparencës, është mbështetur në mbledhjen e citimeve nga 310 top profilet publike të autorëve më të cituar, duke përjashtuar 20 të parët. Kjo metodë siguron pavarësi nga ndikimi i madhësisë së institucionit dhe përfaqësueshmëri nga profilet e mbetura.

Metrikat e tilla luajnë pa diskutim një rol të rëndësishëm, jo vetëm në renditje, por edhe në imazhin ndërkombëtar të universitetit.

Së fundi, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, ka shprehur mirënjohjen institucionale për mësimdhënësit më të cituar të universitetit dhe ka theksuar se ata mund të arrijnë arritje të ngjashme dhe madje të shkojnë më tej.

Në funksion të përmirësimit të renditjes ndërkombëtare të Universitetit të Prishtinës dhe të përcaktimit të fuqisë reale kërkimore të tij, tashmë janë ndërmarrë edhe një numër veprimesh, duke përfshirë korrigjimin dhe regjistrimin e profileve të anëtarëve të personelit akademik me adresën zyrtare të universitetit në “Google Scholar”. Në mënyrë paralele, janë duke u ndërmarrë veprime, të tilla si krijimi i qasjes në databaza akademike dhe mbështetja për projekte kërkimore, me qëllim ngritjen dhe vlerësimin e punës shkencore në Universitetin e Prishtinës.

Në krahasim me institucionet e tjera, Universiteti i Prishtinës ka më tepër se dyfishin e citimeve të të gjitha institucioneve të tjera shqipfolëse marrë së bashku.