Universiteti i Elbasanit “vatër” korrupsion, lekë në këmbim të notës, arrestohen 3 sekserë

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan vijon të mbetet një “vatër” e nxehtë korrupsioni.
Pak kohë më parë një dekan dhe disa pedagogë u vunë në pranga për marrjen e shumave të konsiderueshme monetare në këmbim të notës.

Ndërsa sot policia bën me dije se ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Sezoni”, duke vënë në pranga tre shtetas, të cilët ushtronin ndikim te pedagogët e universitetit.

Sipas policisë pas një hetimi 2 mujor në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan dhe Njësinë e Forcës së Posaçme, Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u bë i mundur dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal dhe ekzekutimi i Urdhrit për ndalimin e të dyshuarve për krim, konkretisht: Skënder Stafa, 46 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Precë e poshtme, Njësia Administrative Funar, Bashkia Elbasan.

Qamil Murataj,49 vjeç, lindur në Shikaj Kukës dhe banues në Mëzez-Fushë, Njësia Administrative Kasash, Tiranë dhe Medi Hana, 50 vjeç, lindur dhe banues në Skëndërbe, Njësia Administrative Rrajcë, Bashkia Prrenjas.

Shtetasit e lartpërmendur ndërmjetësonin te pedagogët për të marrë notën kaluese në shkëmbim të vlerës monetare.

Ndalimi i personave të sipërpërmëndur u bë për kryerjen e veprës penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike“, i parashikuar nga neni 245/2 i Kodit Penal.