Portugezi

Unitedi për 15 minuta pastroi zyrën e Mourinhos

Manchester Unitedi nuk humbi shumë kohë për të fshirë kujtimet e turbullta që përjetoi me Jose Mourinhon si menaxher pasi e pastroi zyrën e tij “brenda 15 minutave” pas shkarkimit të tij.

Portugezi u lirua nga detyra një javë më parë pas startit më të keq që Unitedi e përjetoi në histori të Premier Ligës.

Ai zyrtarisht u shkarkua në orën 9:46 në mëngjes ndërsa stafi në qendrën stërvitore ishte në nguti për t’i hequr nga zyra gjërat e portugezit.

Një burim brenda klubit i ka thënë gazetës “The Sun” se stafi nuk ka vonuar më shumë se 15 minuta për të pastruar zyrën nga gjërat e Mourinhos që u pagua 22.5 milionë funte për shkëputje të parakohshme të kontratës.

Fotografitë e tij dhe trofetë janë vendosur në një pako dhe janë transportuar menjëherë.

“Klubi ishte i pamëshirshëm në fund. Vetëm pesë minuta pas shkarkimit ata [punëtorët] ishin në zyrë. U nevojitën 15 minuta për të fshirë historinë e Joses. Krejt gjërat e tij i vendosën në një furgon”, ka thënë ky burim.

Si zëvendësues i përkohshëm i Mourinhos ka ardhur Ole Gunnar Solskjaer, legjenda e Unitedit.