Manchester United vazhdon në SHBA përgatitjet për sezonin e ri.

Në prag të miqësores të së dielës përballë Liverpoolit (01:45), trajneri Erik ten Hag preku disa tema të ndryshme në lidhje me skuadrën e tij.

“Edhe pse kemi fituar dy trofe, në gjashtë vitet e fundit United nuk kishte fituar asgjë. E dinim se duhej të ndryshonim situatën. Pjesërisht ia kemi dalë, duke filluar një projekt të ri. Jam i lumtur për mbështetjen e tifozëve. Ata janë një pjesë e rëndësishme e jona, bashkë me klubin, skuadrën dhe futbollistët. Ata janë një ndihmë e madhe për ne në arritjen e rezultateve pozitive”.

Premier League? “Do të ishte shumë e dobishme ta nisnim mbarë, por rëndësi ka si e përfundon kampionatin. Megjithatë, një fillim i mirë ndërton themelet e një sezoni të suksesshëm. Sepse sezonet janë të gjata dhe trofetë fitohen gjithmonë në muajt mars ose prill. Nevojitet karakter i fortë për të drejtuar United, por unë jam mësuar tashmë”, theksoi tekniku holandez i “Djajve të Kuq”.“

Në dy vitet e fundit, tekniku holandez ka fituar FA Cup dhe EFL Cup me United.

Në datën 10 gusht është radha e derbit kundër Cityt të Pep Guardiolës për fitimin e Superkupës së Anglisë.