Ujkani paralajmëron largimin nga Turqia

Samir Ujkani është i pakënaqur me situatën e krijuar tek Rizespori pasi nuk po ka hapësira për të mbrojtur si titullar.

Gardiani i Kosovës dëshiron të rikthehet protagonist në mes të dy shtyllave.

Portieri kosovar është duke e pritur rastin e tij në ekipin e Rizesporit, ndërsa i ka shprehur haptas pakënaqësitë e tij për mungesën e hapësirave.

“Nuk jam i kënaqur sepse nuk jam duke luajtur. Dhe situata e skuadrës është negative. Kemi nevojë për mrekulli për të shpëtuar. Në nivelin individual nuk po më shkon mirë, kam ardhur këtu për të luajtur. Nuk është një moment i lumtur”, deklaroi portieri kosovar për “TuttoMercatoWeb”.

Dhe, tash ai po mendon për largim nga klubi turk pasi nuk e ka ndërmend të luajë në një kategori më të ulët garash.

“Po, ia kam bërë me dije menaxherit tim. Dua të shkoj diku ku mund të mbroj, për momentin nuk po luaj dhe kjo nuk është e lehtë. Mund të jap shumë. Disa ditë më parë kam biseduar me drejtuesit e Rizesporit. Për momentin më duhet të vazhdoj të jem portieri i dytë. Do të shohim se çka do të ndodhë”, vazhdoi përfaqësuesi kosovar, i cili nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në futbollin italian.

“Sinqerisht po. E kam kaluar një pjesë të madhe të karrierës sime në Itali. 11 vjet. Do më pëlqente të kthehem, por e di se nuk është e lehtë”, nënvizoi Ujkani.

“A e përcjell Samiri ende futbollin italian? Natyrisht. Kam shumë miq atje. Çdo javë i përcjell shokët e mi duke u përballur me skuadrat respektive”, përfundoi portieri vushtrrias.