Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, beson se në skuadrën e “Dardanëve” ka mjaftueshëm lojtarë të mirë dhe kjo bën që mungesa e disa lojtarëve të tjerë të lënduar të mos jetë problem për ndeshjet e radhës.

Në konferencën për shtyp, të mbajtur sot në Prishtinë, morën pjesë Fidan Aliti dhe Samir Ujkani, të cilët sot i mbajtën stërvitjet e fundit në Kosovë dhe tani do të nisen për në Mal të Zi.

Më 2 qershor, ekipi kombëtar i Kosovës i filloi përgatitjet për ndeshjet e qershorit, ku Kosovës do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm për shkak të lëndimeve, si Hekuran Kryeziu, Valon Berisha e Herolind Shala.

“Do të jenë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Sigurisht ndeshja kundër Malit të Zi është një ndeshje e madhe dhe e vështirë, por ne jemi përgatitur mirë dhe kemi punuar shumë. Atmosfera është e mirë dhe jemi në rrugë të mbarë. Por, tash mbetet që të premten ta tregojmë veten dhe të nxjerrim rezultat pozitiv. Të gjithë po punojmë për njëri-tjetrin”, ka thënë Ujkani.

“Konkurrenca është rritur shumë, djemtë që na mungojnë, na mungojnë. Por, është rritur konkurrencë me lojtarët e rinj, kështu që mungesa e disa lojtarëve nuk duhet të jetë problem apo arsyetim për ne”.

Kosova fillimisht do të përballet me Malin e Zi në Podgoricë të premten, e pastaj, tri ditë më vonë, “Dardanët” do të udhëtojnë në Sofje për përballjen me Bullgarinë. Që të dyja këto ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupit A të kualifikimeve në EURO 2020.

Edhe pse do të jetë vendase, Mali i Zi s’do ta ketë përkrahjen e tifozëve në stadium për ndeshjen kundër Kosovës, pasi që malazezët janë dënuar nga UEFA ta zhvillojnë një ndeshje pa tifozë për shkak të thirrjeve raciste në ndeshjen e kaluar, kundër Anglisë.

Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 nëse e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A. Nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.