Kapiteni i Kosovës

Ujkani mund ta fitojë rastin te Torino pas pritjes së gjatë

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, mund të ruajë portën e Torinos në ndeshjen e fundjavës ndaj Udineses. Kështu të paktën kanë raportuar të hënën media italiane me seli në Torino.

Klubi i Serie A të hënën ka njoftuar për një rast me koronavirus në mesin e lojtarëve të skuadrës së parë. Torino nuk ka bërë të ditur emrin e lojtarit, por mediat në Itali kanë raportuar se bëhet fjalë për portierin e parë, Salvatore Sirigu. Ai është i pakontestuar për portën e Torinos, por për shkak të infektimit me koronavirus duhet të qëndrojë i izoluar për një kohë.

Dhe kjo krijon mundësinë që Ujkani ta fitojë rastin.

32-vjeçari së fundi ka kompletuar tri ndeshje me përfaqësuesen e Kosovës. Portieri i parë, Arijanet Muriq, u largua nga grumbullimi për arsye disiplinore dhe kështu Ujkani qëndroi mes shtyllave ndaj Lituanisë, Suedisë dhe Spanjës. Derisa ndaj Suedisë paraqitja e Ujkanit u vlerësua e zbehtë kundër Spanjës në humbjen 3:1, ai bëri numër të madh pritjesh. Ndërkohë nuk u fajësua për ndonjërin nga golat e pranuara.

Paraqitjet me Kosovën duket se do t’i shërbejnë Ujkanit për ta përmirësuar pozitën e tij te skuadra e Torinos.

“Në pritje të mungesës së Sirigus, portierët rezervë, Samir Ujkani dhe Vanja Milinkoviq-Saviq, ngrohen. Kosovari pritet të ketë përparësi ndaj serbit”, ka shkruar “tuttosport.com”.

Torino e kishte angazhuar Ujkanin për portier rezervë. Dhe i tillë ishte deri më tani. Në fakt këtë edicion në shumë ndeshje as që ishte grumbulluar. Ndërkohë është aktivizuar vetëm me Kosovën. Kishte mbrojtur edhe më 18 nëntor të vitit të kaluar ndaj Moldavisë e më 6 shtator ndaj Greqisë. Paraqitjen e vetme me Torinon e kishte më 29 korrik të vitit të kaluar në humbjen 3:2 nga Roma. Në nivel klubesh paraqitjen e parafundit e kishte më 23 dhjetor të vitit 2018 në Superligën e Turqisë, në humbjen 4:1 të Rizesporit nga Trabzonspori. Edhe te Rizespori ishte rezervist i rregullt.

Torino në fundjavë luajti 2:2 me Juventusin. Sirigu ishte në portë, ndërsa Ujkani e Milinkoviq-Saviq në stol. Ndeshja e së shtunës mes Udineses dhe Torinos i takon xhiros së 30-të të Serie A. Torino është në vendin e 17-të në kampionatin italian me 24 pikë. Po lufton për mbetje në elitën italiane.