UEFA tregon se kur pritet të zhvillohet ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovës

Sekretari i përgjithshëm i FFK’së, Eroll Salihu, ka zbuluar se ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të zhvillohet në tetor ose në nëntor.

UEFA ka mbajtur sot edhe një tjetër mbledhje me 55 federatat europiane, ku mes tjerash është diskutuar edhe për ndeshjet e ‘play-off’-it për ‘Euro 2020’.

Nga kjo mbledhje është vendosur që ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Europian të zhvillohen në tetor ose nëntor. Theksojmë se këtu përfshihet edhe ndeshja gjysmëfinale mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Për ndeshjet e plejofit të Euro 2020 ishte propozimi që të luheshin në shtator, me të cilin nuk u pajtuam shumica. Kështu që ndeshjet parashihe të zhvillohen në tetor ose nëntor” – ka deklaruar Salihu.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të takohen në gjysmëfinale të ‘play-off’-it për të siguruar një vend në Kampionatin Europian, teksa fituesi do të takohet në finale me fituesin nga ndeshja Gjeorgji-Bjellorusi.