Jude Bellingham

UEFA nis hetimet, Bellinghami mund të dënohet

Ylli i Anglisë, Jude Bellingham, mund të dënohet pasi UEFA nisi hetime për një veprim të tij derisa po festonte golin spektakolar ndaj Sllovakisë, të dielën.

Bellinghami barazoi rezultatin në minutën e 96-të, për të shpëtuar Anglinë nga humbja turpëruese. Në vazhdime Anglia siguroi kalimin në çerekfinale.

Pas golit, Bellingham bërtiti “kush tjetër?” teksa vrapoi te tifozë anglezë. Por më pas bëri një veprim që mund të cilësohet si ofendues ndaj tifozëve sllovakë. Për këtë edhe po hetohet.

Bellingham ka mohuar që festimi të ishte i orientuar për fyerjen e rivalit.

“Një shaka e brendshme drejtuar disa miqve që ishin në lojë. Asgjë veçse respekt për mënyrën se si luajti Sllovakia”, ka shkruar ylli anglez.

Një inspektor i etikës dhe i disiplinës i UEFA-s do të hetojë incidentin.

Dënimi maksimal, nëse shpallet fajtor, është mungesa në numër të caktuar ndeshjesh.

Anglia në çerekfinale përballet me Zvicrën.