“UEFA ka kërkuar që Agim Ademi ta lirojë postin në FFK”

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, thotë se vetë sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ia ka konfirmuar atij se UEFA i ka dërguar Federatës letër për t’ia kërkuar presidentit Agim Ademi largimin nga posti, ose ta zgjidhë problemin me dënimin me burg.

Federata e Futbollit e Kosovës është përballur me kundërshtim të vazhdueshëm gjatë këtij sezoni. Vazhdimisht është kontestuar nëse presidenti Agim Ademi në vitin 2018 kishte marrë mandat katërvjeçar, deri më 2022, apo vetëm për ta vazhduar mandatin e presidentit të ndjerë Fadil Vokrri, dëri këtë vit.

Ademit i është bërë presion edhe përmes një procesi gjyqësor në të cilin gjendet, ku është dënuar me nëntë muaj burgim për një çështje të vitit 2012 jashtë futbollit. Ademi e kishte apeluar këtë vendim në Gjykatën e Apelit, e cila megjithatë e kishte përkrahur vendimin e Gjykatës Themelore.

Më vonë u bë e ditur se Ademi është urdhëruar të paraqitet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për ta kryer këtë dënim, përderisa e pret vendimin final nga Gjykata Supreme. Megjithatë, Ademi e apeloi edhe këtë vendim dhe atij iu shty ekzekutimi i dënimit për tre muaj, shkaku i gjendjes shëndetësore.

Për shkak të këtij dënimi, tashmë ka filluar të përflitet për organizimin e zgjedhjeve për një president të ri në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe presidenti i Trepçës ’89, Zeka, thotë se për këtë gjë ka dërguar letër edhe UEFA.

“Unë e kam pyetur vetë Agim Ademin kur erdhi në Mitrovicë. I thashë: “Çka i ki punët me gjyqin? E ke atë veprën dhe neni jonë e thotë qartë që njeri i cili ka aktakuzë nuk mund të mbajë pozitë”, ka thënë Zeka në “Favorit” në T7.

“Edhe vetë Salihu na ka thënë neve. Na ka thënë që po, UEFA na ka thënë gojarisht që Ademi duhet ta kryejë atë punë, ose kështu nuk shkon. Sepse unë i thashë që iu ka ardhur me dekret që ai duhet ta lirojë postin, ai tha që me dekret nuk na ka ardhur, por na kanë thënë gojarisht”.