UEFA e dërgon për gjykim, Manchester City rrezikon Championsin

Tani është zyrtare! UEFA dërgon Manchester Cityn për gjykim në Dhomën e Kontrollit Financiar të Klubeve, brenda institucionit të saj.

Qeveria e futbollit europian ka bërë të ditur edhe arsyet e marrjes së këtij vendimi, teksa thekson se klubi kampion i Anglisë dyshohet se ka thyer rregulloren e “Fair Play”-t financiar, diçka për të cilën është folur në shumë raste edhe në media.

Në shënjestër të hetimeve të UEFA-s janë vënë të ardhurat fiktive nga sponsorizimet. Në të vërtetë, bilanci i Manchetser Cityt është përmirësuar nga rritjet e kapitalit nga ana e aksionerëve kryesorë të klubit, por në bilancin e klubit ato janë kontabilizuar si sponsorizime, e të gjitha këto veprime kanë ndodhur përpara vitit 2014.

Kjo do të thotë se Manchester City, nëse do të rezultojë fajtor, do të përjashtohet nga Champions League sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, klubi anglez ka reaguar ndaj këtij vendimi të UEFA-s nëpërmjet një komunikate për shtyp, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat.

Në komunikatë klubi shpreh zhgënjimin e tij, por nuk është aspak i habitur nga ky hetim i UEFA-s.

Manchester City thekson gjithashtu se, Dhoma e Arbitrazhit nuk ka marrë parasysh shumë prova të ofruara nga klubi, e se vendimi ka gabime dhe interpretime të gabuara e konfuze, në një proces thellësisht të gabuar e armiqësor ndaj klubit.