UD i kryeshefi i “Hidromoravës” tenton të rehatojë familjarë në këtë kompani, hap jashtëligjshëm konkurs të jashtëm

Më 27 qershor të këtij viti, Bordi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava” në Gjilan kishte shkarkuar kryeshefin Muhamet Suliqi dhe kishte emëruar ushtrues detyre Abdylaziz Selmanin, emërim ky që ishte bërë në baza partiake.

Lëvizja Vetëvendosje me të ardhur në pushtet në Qeveri dhe në disa komuna ka filluar menjëherë me punësimet politike. Njësoj ka vepruar edhe në Komunën e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni.

Me të ardhur në pushtet, Hyseni kishte ndërruar edhe Bordin, por edhe kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”, shkruan Demokracia.com.

Në vend të Muhamet Suliqit, Lëvizja Vetëvendosje kishte sjell në pozitën e ushtruesit të detyrës Abdylaziz Selmanin, i cili në tetor mbush 65-vjeç. Sipas dispozitave ligjore, ushtruesit të detyrës së një ndërmarrjeje publike nuk i lejohet të marrë vendime të mëdha, por Selmani nuk e ka përfillur këtë dhe ka shpallur konkurs të jashtëm në KRU “Hidromorava” për disa pozita.

Siç mëson Demokracia.com nga burime të veta, në pozitën për zyrtar ligjor po planifikohet të rehatohet djali i ushtruesit të detyrës së kryeshefit, i cili del në pension shumë shpejtë. Madje, sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, shumica e konkurrentëve pavarësisht se po mbahet e fshehur lista e aplikuesve, janë me mbiemër Selmani. P

ër pakënaqësitë rreth konkursit ka reaguar edhe Shoqata Sindikale e Pavarur e KRU “Hidromorava”, të cilët kanë kërkuar që të anulohet konkursi dhe të emërohen për këto pozita njerëz të cilët janë të punësuar në KRU “Hidromorava”, pra kuadro të brendshëm dhe të mos hapet konkurs i jashtëm.

“Më datë 18.08.2022, Kryesia mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme për shkak të rrethanave të krijuara në këto ditë, duke i renditur pikat e saj, kemi vendosur unanimisht që të merren masa konkrete dhe të zbatohet në tërësi si në vijim: Të merren masa urgjente për kërkesën e bërë për ngritjen e pagave, Të merren masa urgjente për kërkesën e bërë për ngritjen e kostos së ushqimit, Të anulohet konkursi i shpallur me datë 16.08.2022, Të hulumtohen kuadrot brenda kompanisë sipas udhëzimit administrativ 07/2017 dhe të rishikohen referatet të cilat siç po shihet janë në kundërshtim me Organogramin, Si dhe të merren masa për pagat jubilare. Sqarim: Duke u bazuar në ligjin për shoqëritë tregtare 06/L-016, regjistrimin në ARBK, statutin e Hidromoravës te neni (8), si dhe Udhëzimin administrativ 07/2017 shihet kundërshtim dhe mospërputhje në mes tyre që i bie tejkalim i kompetencave nga ud.Kryeshefit dhe si e tillë jemi shtyrë të bëjmë këtë kërkesë”, thuhet në kërkesën që e ka siguruar Demokracia.com.

Sipas një kërkese tjetër të cilën e ka siguruar Demokracia.com, sindikata ka kërkuar edhe rritje të pagave nga menaxhmenti, por që kjo kërkesë e tyre nuk është përfillur.

“Kërkesë: Kryesia e Shoqatës Sindikale të KRU “Hidromorava” SH.A. në Gjilan në takimin e mbajtur më datë 08.08.2022 në lokalet e Kompanisë me fillim në ora 08:15 të pranishëm ishin anëtarët e kryesisë së Sh.S 1. Drejtuar: Menaxhmentit dhe Bordit të drejtorëve për ngritje të pagave, për të cilat kemi marrë përgjigje negative, duke u bauzar në shportën e konsumatorit me ngritjen e çmimeve në të gjithë artikujt, kërkojmë që të reflektoni sa më shpejt në ngritjen e pagave të punëtorëve për 30 për qind. 2. Gjatë kohës së grevës jemi fakorduar që mos ta rëndojmë buxhetin e kompanisë me vende të reja pune, konkurse pa u shtjerr mundësitë e kuadrove brenda kompanisë! Andaj ne si sindikatë jemi të shtyrë në bazë të shkeljes së marrëveshjes të marrim hapat e mëtutjeshëm ose në të kundërtën do të fillojmë grevën e pezulluar, andaj presim përgjigje sa më shpejt me shkrim”, thuhet në kërkesën e datës 8 gusht të këtij viti.

Në lidhje me konkursin që është hapur e që është “kurdisur” për t’i rehatuar pak para pensionit familjarët e tij u.d i kryeshefit Abdylaziz Selmani, Demokracia.com ka kontaktuar Habil Zeqirin, Kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të KRU “Hidromorava”.

Demokracia.com ka kërkuar sqarime nga kryesuesi i Bordit se cila është arsyeja që është hapur konkurs i jashtëm, ai është arsyetuar duke thënë se dy herë ka dështuar një konkurs i brendshëm për shkak se nuk ka pasur kuadro.

“Ne kemi biseduar me menaxhmentin, se këto menaxhmenti normal e kanë obligim, ata e kanë bërë shpalljen e konkursit, jo Bordi, se menaxhmenti janë për punëtorë dhe jo Bordi edhe na kemi kërkuar që nëse ka nevojë brenda të ndonjë zyrtari që plotësohet kishte me qenë më mirë, kështu kemi kërkuar prej tyre, edhe ata e kanë shpallë edhe ma herët për një laborant por s’ka pas prej brenda edhe ka dështu dy herë për laborant, ka dështuar dy herë për zyrtar certifikues tash e kanë ndërru pak titullin e pozitës, zyrtar për financa dhe raportime. tash ta shohim. Sot kemi takim Bordi edhe duhet me e diskutu pikërisht këtë çështje të konkursit”, ka thënë Zeqiri për Demokracia.com.

Por i pyetur se si ka mundësi që ushtruesi i detyrës së kryeshefit të marrë vendime kaq të mëdha, pasi që nuk i lejohet, pra të hap konkurs të jashtëm, Zeqiri tha se për shkak të konkursit sot me fillim prej orës 10:00 do të mbahet mbledhja e bordit dhe pikë e rendit të ditës është çështja e konkursit.

“Sot prej orës 10 e kemi mbledhjen e Bordit edhe kemi me e diskutu çështjen e konkursit dhe këtë e kemi në rend të ditës se edhe ne nuk jemi të kënaqur. Pikërisht çështjen e konkursit kemi me e diskutu sot në mbledhje edhe pa përfunduar mbledhja nuk po mund të të them asgjë dhe kur të përfundojë mbledhja e Bordit mund të na thërrisni, por dikur kah mbrëmja se ka me zgjatë shumë kjo mbledhje”, theksoi Zeqiri.

Demokracia.com në muajin qershor të këtij viti kishte raportuar për emërimin e Abdylaziz Selmanit në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Kopanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”, por edhe për punësimet e tjera që janë bërë në këtë kompani që prej ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet në këtë komunë.